Gripi sezonal ndodh me ndryshimin e stinëve dhe dihet që të moshuarit, fëmijët apo kategoritë e tjera të riskut janë edhe më të ekspozuara ndaj rreziqeve.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, rreth 280 mijë doza të kësaj vaksine janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit, ndërsa ISHP konfirmon se kjo është periudha më e mirë e vitit për kryerjen e vaksinës antigrip.
“Gjatë të gjithë sezonit dimëror deri në periudhën e fundmarsit mund ta aplikojë çdo qytetar vaksinimin. Nuk kemi evidentuar asnjë rast gripi në territor dhe është shumë që nuk ka qarkullim dhe krijojmë një mbrojtje paraprake për të qenë të mbrojtur gjatë sezonit të dimrit”, tha Eugena Tomini, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik në një intervistë për mediet.
Por, bashkë me gripin, duket se COVID-19 nuk është zhdukur, madje disa nënvariante të tij dhe të Omicron janë në qarkullim, ndaj ISHP ka gati planin e masave, sidomos për grupet që rrezikohen më shumë.
“Interesi përkundrejt COVID-19 është zbehur dhe ka shumë faktorë pse ndodh kjo, por duhet të theksojmë se COVID-19 nuk është më një sëmundje sezonale virale, por shfaqet gjatë të gjithë viti. Javën e ardhshme pritet të vijnë rreth 5800 doza anti-COVID për nënvariantet e reja të Omicon, si pjesë e planit përgatitor për grupet në riskut”, u shpreh Tomini.
Sipas Tomonit, vaksina kundër gripit dhe ajo anti-COVID mund të aplikohen në të njëjtën ditë, pa pasur frikë për efekte anësore./ata