Kryeministri Edi Rama tha sot se synimi është të ndërtojmë Evropën në Shqipëri, për të qenë sa më shpejt gati për të qenë anëtare të Bashkimit Evropian.
Pas mbledhjes së Këshillit të Bashkimit Evropian në Luksemburg, kryeministri Rama doli në një deklaratë të përbashkët për mediet me Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.
Rama theksoi se “është synimi ynë ta përmbyllim këtë proces brenda kësaj dekade dhe të trokasim në dyert e Këshillit Evropian si shtet anëtar”.
“Kjo është shumë ambicioze. Kërkon një volum të jashtëzakonshëm pune. Kemi punuar shumë pranë me Komisionin. Kemi ngritur dhe ndërtuar një udhërrëfyes mjaft ambicioz. Ne po ashtu mbështetemi tek miqtë dhe partnerët tanë për të na ndihmuar për të arritur këtë gjë. Kur them për të na ndihmuar. Kjo është dykrahëshe, jo vetëm politikisht, ekonomikisht, por edhe teknikisht, pasi kemi nevojë për dije. Kemi nevojë për mbështetjen e trurit”, tha Rama.
Kryeministri shtoi: “Jam besimplotë që duke bërë të gjitha këto për sa na takon ne do t’i përmbushim të gjitha standardet apo piketat e ndërmjetme. Një koncept që hyri sot në jetën time dhe që do të më përndjekë për pjesën tjetër të kësaj dekade, dhe do vijmë këtu dhe do të dëgjojmë që kemi përmbushur këto standarde të ndërmjetme. Pastaj ka të bëjë me vendimmarrjen politike.”
“Për ne rëndësi ka ta bëjmë Shqipërinë një vend anëtar të BE për mënyrën se si funksionon, si i bëhen gjërat në BE. Duam që BE të jetë në Shqipëri. Dhe nëse ju do ishit të vëmendshëm mbi atë çfarë tha Varhelyi, që është dhe motoja jonë: ‘Në Shqipëri kemi nisur të ndërtojmë Evropën’, dhe është pikërisht kjo ajo që duam të përfundojmë ta ndërtojmë Evropën në Shqipëri”, deklaroi Kryeministri Rama./ata