Policia e Dibrës ka zhvilluar takime sensibilizuese dhe informuese me nxënësit e gjimnazeve, mbi pasojat e krimit kibernetik.

Në kuadër të aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe informuese, me të rinjtë, aktivitete të cilat janë të përditshme në punën e Policisë së Shtetit, ndihmës specialistët për punën dhe edukimin me të rinjtë në DVP Dibër, zhvilluan dy takime me nxënësit e klasave X, në gjimnazin “Seit Najdeni” në Peshkopi, dhe gjimnazin “Rifat Manjani” në Shupenzë.

Gjatë këtij takimi u informuan të rinjtë mbi kanalet që përdor krimi kibernetik për të kryer vepra penale.

Nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, arrihet vepra për hakerimin e sistemeve informatike, krijimin e faqeve të rreme të internetit për mashtrim, vjedhjen e informacionit personal ose financiar dhe shantazhimin nëpërmjet rrjeteve sociale. Theksi u vendos gjithashtu, tek llojet më të njohura të krimeve kibernetike siç janë (hacking, phishing, malware, cyperbullying, identity theft, etj.).

Në fund të takimit, të rinjve iu sugjeruan disa pika të rëndësishme se si ta luftojnë krimin kibernetik, duke filluar nga mbrojtja e privatësisë; përdorimi i fjalëkalimeve të forta; kujdesi në pranimin e miqve; mospublikimi i informacioneve personale, edukimi dhe vetëdija, qasja e aktiviteteve të dyshimta etj.

Takime të tilla së bashku me tema të tjera do të vijojnë të trajtohen në të gjitha shkollat e qarkut./ata