Diskutimi publik mbi çështjen e pensioneve ka vijuar në të gjitha qarqet e vendit, ku janë organizuar takime informuese me kategorinë e pensionistëve.

Ministra të kabinetit qeveritar, të cilët janë njëkohësisht drejtues të PS-së në qarqe, kryetarët e bashkive dhe deputetët e PS-së, kanë zhvilluar takime të përditshme me pensionistët për t’i informuar ata mbi sfidën e realizimit të rritjes së pensioneve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një fotoalbum nga këto takime, ndërsa theksoi se qeveria dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste janë angazhuar në të gjithë Shqipërinë, në diskutimin e hapur për pensionet në rrugën drejt Shqipërisë 2030.

“Vijon diskutimi i hapur për pensionet në rrugën drejt Shqipërisë 2030. Pensionet si detyrim, sfidë dhe front të përbashkët shoqëror”, u shpreh Rama.

“Pensionet, drejt Shqipërisë 2030” është diskutimi publik i radhës i nisur nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama me fokus rëndësinë e luftës kundër informalitetit të pagave, si armiku kryesor i pensioneve./ata