Pasi penguan qarkullimin në protestën e thirrur nga Partia Demokratike dhe u përplasën me policinë, 50 protestues në Tiranë dhe Elbasan janë vënë në hetim, si edhe 7 deputetë demokratë, mes tyre edhe Flamur Noka që bllokoi rrugën me mjet luksoz.
Në Kthesën e Kamzës, ku ishte edhe pika kryesore e protestës, opozita bllokoi qarkullimin duke përdorur edhe mjetet e deputetëve. Policia e Tiranë ka vënë në hetim rreth 30 protestues, si edhe 4 deputetët Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu dhe Asllan Dogjani. Noka ishte ai që pikasi në protestë për makinën luksoze ‘Range Rover’ me të cilën bllokoi rrugën.
Katër deputetët akuzohen edhe për kundërshtim të forcave të rendit, pasi u përplasen me efektivët. Në krye të përplasjes ishte sigurisht Flamur Noka, ndërsa nuk mungoi as Albana Vokshi, Mziu e Dogjani. Madje Noka edhe i kërcënoi policët, duke u kërkuar që të largohen ose nuk do gjejnë vend ku të futen.
Ndërkohë, pas përplasjeve me policinë në rrethrrotulimin e Bradasheshit, Policia ka arrestuar 3 protestues Edmont Pojani, Arben Pjetri dhe Hamza Lamcja, njëherëzi edhe anëtarë të PD në degën Elbasan. Në këtë qark, janë vënë në hetim 20 protestues, 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa po hetohen edhe 3 deputetët Tomorr Alizoti, Tritan Shehu dhe Qani Xhafa.
Dy të arrestuarit Edmont Pojani, Hamza Lamcja, si edhe një prej protestuesve të vënë në heti, kishin bllokuar rrugën me 3 makina, 2 prej të cilave janë sekuestruar nga policia. Ndaj 3 të arresturave rëndojnë 3 akuza "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".
Opozita mbajti dje, 29 tetor, protestën e radhës duke bllokuar bllokoi për 3 orë 6 rrethrrotullime kyç për qarkullimin rrugor në vend. Konkretisht u bllokua Kthesa e Kamzës, rrethrrotullimi i Milotit, rrethrrotullimi i Shkozetit, rrethrrotullimi i Bradasheshit, rrethrrotullimi Rrogozhinë dhe rrethrrotullimi Levan. Militantët në çdo grumbullim nuk lejuan kalimin e automjeteve ndërsa policia nuk ndërhyri, duke kaluar 3 orë incidente, me përjashtim te tensioneve të vogla në Tiranë dhe Elbasan.
Deputetët e PD që janë në hetim
-Flamur Noka
-Albana Vokshi
-Xhelal Mziu
-Asllan Dogjani
-Tritan Shehu
-Qani Xhafa
-Tomorr Alizoti
3 protestuesit e arrestuar në Elbasan
-Edmont Pojani
-Arben Pjetri
-Hamza Lamcja
Akuzat: "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik"./Shqiptarja