Ka shkuar në tre numri i personave nga atentati i ndodhur sot në Dobraç të Shkodrës. Pas disa orësh nga atentati ka humbur jetën në spital edhe Arlind Bushati.

Autorët qëlluan me armë zjarri në drejtim të makinës tip “Benz” ku udhëtonin Hamza Lici, i cili mbeti i vdekur në vend dhe Arlind Bushati.

Personi i tretë që humbi jetën është Flutura Basha e cila po udhëtonte rastësisht me motor në vendin e atentatit së bashku me bashkëshortin e saj Bashkim Basha. Ky i fundit ndodhet në spital i plagosur.

Motori i çiftit të bashkëshortëve u përplas nga makina gjatë atentatit me të cilën udhëtonte Lici dhe Bushati.

Ndërkohë, Policia ka kontrolluar automjetin me të cilin udhëtonte Lici dhe Bushati ku kanë gjetur 3 armë zjarri.

Ndërkohë, Policia ka gjetur një automjet tip “Range Rover” model tip i ri të djegur në zonën e Grudës së Re.

Sipas bluve, brenda makinës janë gjetur 2 automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në ngjarje. Deri më tani ende nuk kanë mundur të identifikojnë autorët e ngjarjes së rëndë./Opinion.al