Këshilltari për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike dhe nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti ka kritikuar qeverinë për situatën e pensioneve.

Ai theksoi se, pensionistët kanë njohur rritje minimale të pensioneve në raport me rritjen e çmimeve.

“Në këto tre mandate, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, të vetë zyrës së statistikave të kryeministrit, pensionet aktuale, përfshirë edhe indeksimin e famshëm prej 4.1% të hyrë në fuqi 1 muaj më parë, pensionet mesatare urbane sot janë jo më të larta se 190 mijë lekë të vjetra, nga 140 mijë që ishin 11 vite më parë.

Aritmetika e qartë dhe e thjeshtë: Në këto 3 mandate, pensionet urbane janë rritur më pak se 35%, ndërkohë që çmimet e ushqimeve janë rritur me nga 2-3 herë në varësi të llojit të produkteve”, tha Teliti.

Teliti tha se PD ka propozuar si zgjidhje vendosjen sa më parë të minimumit jetik, duke shtuar se mundësitë financiare janë të pranishme nëse hiqet dorë nga “lukset e shfrenuara qeveritare, tenderimet pa garë dhe kontratat koncesionare PPP, që PD i cilëson si klienteliste dhe korruptive”./ata