Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama, për shpërdorim të fondeve publike në projektet e infrastrukturës.

Nga “arresti i shtëpisë”, Berisha theksoi se Rama ka inauguruar për herë të tretë Urën e Kukësit, e cila, sipas tij, është ndërtuar me kosto shumë më të lartë sesa Ura e Bunës.

“Sot inauguroi për herë të tretë Urën e Kukësit. Dhe ajo e ndërtuar nga koncesionari, natyrisht me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

A e dini ju sa ka kushtuar ajo urë? 250% më shtrenjtë se Ura e Bunës. Ura e Bunës e ndërtuar në vitin 2013, e përfunduar, është urë me mekanizëm hapjeje, hapet dhe lejon kalimin e mjeteve lundruese.

Kurse ajo, urë fikse të cilën e ka inauguruar nja tri herë gjer sot, ndërtohet me 30, apo 35 milionë euro”, tha Berisha.

Berisha shtoi se gjatë qeverisjes së Ramës është ndërtuar vetëm një rrugë e përfunduar, 20 kilometra Kashar-Thumanë.

“Rrugë e filluar dhe e mbaruar e vetme në 11 vitet e tij janë 20 kilometra Kashar-Thumanë, të cilën e ka ndërtuar me çmimet më stratosferike. Rrugë e vetme, asnjë tjetër fillim dhe mbarim të saj”, tha Berisha./ata