Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se, më 31 dhjetor hapet tërësisht për qarkullim unaza e Madhe e Tiranës, e cila pritet të çlirojë trafikun në kryeqytet.
E pranishme sot në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, për shqyrtim në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2025” të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku theksoi se, një investim tjetër që parashikohet vitin që vjen është edhe Bypass-i i Tiranës, që do të nisë nga Korridori Blu aty ku lidhet (Kashar-Vaqarr-Mullet), për të vijuar në kodrat e Gjokajt pas City Park, pastaj në kodrat e Arbanës, për t’u lidhur me autostradën Tiranë – Elbasan.
Sipas saj, ky është një investim që do të lehtësojë trafikun në rrugët interurbane dhe ky bajpas do të jetë pjesë e akseve kombëtare.
“Nga momenti i aplikimit ku çmimet ishin të ulëta dhe deri tek aprovimi i projektit nga BE, çmimet janë rritur dhe për këtë arsye është rishikuar kostoja nga BERZH, ku vlera e projektit u rrit me 30%, por kjo ka ndikuar në uljen e grantit. Këtë e kam diskutuar me BE, sepse është shumë shqetësuese. Koha e negocimit të projektit është shumë e gjatë dhe na ndikon”, u shpreh Balluku.
Balluku bëri të ditur se, para sezonit veror do të dorëzohet përfundimisht edhe tuneli i Llogorasë, ndërsa pjesë e buxhetit për vitin 2025 do të jetë ndërtimi i rrugëve lidhëse me tunelin.
Sipas saj, shumë shpejt pritet të firmoset kontrata për segmentin tjetër të Korridorit Blu, Thumanë-Lekaj, dhe brenda vitit do të shpallet gara për rrugën Milot-Balldren. Edhe gara për portin e ri tregtar në Porto Romano do të rihapet përsëri./ata