Seanca plenare e Kuvendit nisi sot me debate për përjashtimin e deputetëve të opozitës.

Deputetët e opozitës e konsideruan vendimin e Gjykatës Administrative që uli një ditë më parë masën e dënimit me përjashtim të marrë për ta për djegien e karrigeve dhe prishjen e seancave.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla replikoi në seancën plenare në Kuvend me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili u shpreh se mazhoranca për 30 ditë ka penguar opozitën pa ligj dhe rregullore të mos marrë pjesë në seancat plenare, në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Balla u shpreh se “kemi përpara një vendim të Gjykatës Administrative me ekzekutim të përkohshëm dhe ky vendim i Gjykatës Administrative nuk ka rrëzuar thelbin. Pra Gjykata Administrative ka konsideruar se përjashtimi është i ligjshëm, ka ulur masën”.

Balla u shpreh se deputetët e opozitës kanë të drejtën e tyre që në rrugë të tjera përsëri ligjore, administrative të vazhdojnë të ndjekin çështjen që ngrenë.

“Tani pyetja që shtrohet është do të hyjmë në rrjedhën normale të punimeve të Kuvendit dhe rrjedha normale është që hyjmë në diskutimet e rendit të ditës? Sepse sa i përket vendimeve të Gjykatës ne e kemi thënë ne nuk diskutojmë kurrë vendimet e gjykatës, edhe pse në rastin në fjalë t’ju them të drejtën, jo si Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, por si deputet prej 20 vitesh në këtë sallë kam komentet e mia, sepse ajo që thoni ju rrëzon këtë vendim gjykate”, tha Balla.

Balla shtoi se, Gjykata Kushtetuese ka thënë se vendimet e brendshme të Kuvendit nuk mund të ankimohen në rrugë administrative.

“Ka dalë një Gjykatë Administrative e ka gjykuar është çështje tjetër. Le ta bëjmë këtë diskutim në Këshillin e Legjislacionit. Nesër mesa di keni mbledhje të Këshillit të Legjislacionit. Shkoni aty, merrni pjesë aty. Kemi disa vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat me urgjencë duhet t‘i transpozojmë”, tha Balla.

“Një prej detyrave imediate të Kuvendit, edhe në një aspekt të rrugës evropiane të Shqipërisë është transpozimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Balla./ata