Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se projektbuxheti i vitit 2025 është frymëzues për ekonominë shqiptare dhe mbi të gjitha, pasqyrim i qartë i zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, mbështetur mbi vizionin “Shqipëria 2030”.
“Ky nuk është viti i parë që buxhetet tona janë konsoliduar, janë buxhete të mirëstudiuara duke pas parasysh që tashmë nuk bëjmë më as projekte e as reforma elektorale, por projekte të ndërlidhura të mirëstudiuara sektoriale, të cilat praktikisht kanë për qëllim rritjen ekonomike të vendit, qëndrueshmërinë ekonomike të vendit”, deklaroi ajo.
Sipas saj, reformat kanë nisur të japin rezultatet e tyre, siç po japin, shtoi ajo, dhe projektet e mëdha të cilat realizohen vit pas viti.
“Viti 2023 është viti i parë i normalitetit ekonomik e financiar të vendit tonë pas tërmetit të 2019-ës, pandemisë dhe krizës energjetike të 2022-shit”, tha Balluku.
Sipas saj, në buxhetin e 2023, MEI-t i është akorduar një buxhet në vlerë prej 64 miliardë lekësh.
“Buxhetin 2023 qytetarët do ta mbajnë mend për rritjen e pagave, bumin e madh turistik, kur numri i vizitorëve arriti 10.1 milionë dhe të ardhurat nga sektori i turizmit arritën 4.2 miliardë lekë”, tha ajo.
Balluku iu përgjigj edhe pyetjes së ngritur nga Tabaku nëse qytetarët janë më mirë sot apo më parë.
“Si paskan qenë më mirë shqiptarët vite më parë, kur në 2007-ën kishte vetëm 5 orë drita në kryeqytet, dhe nëse shkëputeshin dritat në Theth do të duheshin muaj të rilidheshin. Sot në Theth dritat rilidhen për 15 minuta pasi Thethi ka bujtina të mbushura me turistë të huaj. Si mund t’i pyesim shqiptarët nëse janë më mirë sot apo para 15 vitesh, kur për të shkuar në Dibër, 15 vite më parë duheshin 7 orë, ndërsa sot shkon për 1 orë e 45 minuta. Kur flitej për Shqipërinë, shqiptarët kishin turp të thonin që vijmë nga Shqipëria, sot është krenaria e tyre më e madhe. Nuk e di si mund të shtrohet kjo pyetje”, tha Balluku./ata