Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka në fjalën e tij në Kuvend tha se mosbindja civile e opozitës nuk do të ndalet.
Noka tha se sot opozita ishte e pranishme në seancë të përfaqësojë vullnetin e popullit opozitar për t’u shprehur për buxhetin.
“Ne kemi ardhur sot t’u çjerrim maskën, t’u themi se herë pas here kujtoheni se opozita duhet parë, por e keni trajtuar opozitën si armike. Se ju ëndërroni të keni një parlament monist dhe po bëni gjithçka për këtë. Ju ëndërroni të keni një vend që të jetë monizëm i plotë se sulltani juaj nuk duron dot të ketë kundërshtarë”, u shpreh Noka.
“Mosbindja civile do të vazhdojë gjersa t’ju kërrejë. Buxheti nuk është i juaji, sepse buxhetin e keni trajtuar si plaçkë tregu, tufë hajdutësh që jeni vërsulur mbi të. Ne do u themi shqiptarëve se çfarë ishte buxheti i vitit 2023, ku shkuan taksat e tyre, kush i vodhi dhe çfarë duhet të bëjmë”- u shpreh Noka.
Noka tha se edhe SPAK rrëzoi padinë edhe ndaj deputetes Hoti si dhe edhe për karriget.
Duke iu referuar Spiropalit, Noka tha se ajo duhet të japë përgjigje pse ka futur në Kuvend policinë në kundërshtim me ligjin.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila tha se deputeti demokrat duhet t’i kursejë metaforat që përdor, pasi nuk shkon që një burrë të flasë në foltoren e Kuvendit ato fjalë.
“I ke pak të vjetëruara këto metaforat dhe krahasimet. Mua më kishe munguar në këtë foltore. Keni bërë mirë që vendosët të flisnit sot në foltore, por ato metafora të lutem kurseji pak, që nuk shkojnë që një burrë të ngrihet në foltore dhe të përdorë ato fjalë, që me thënë të drejtën, po të ishin më pak moderne do të ishin më mirë”- u shpreh Spiropali./ata