Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se buxheti i vitit 2025 është buxheti më i madh që ka njohur Shqipëria dhe se mbi 30% e tij shkon për politika sociale.

“Buxheti 2025 është buxhet i cili ka më shumë shpenzime e investime kapitale, ka alokuar më shumë fonde për mbrojtjen sociale, ku 30 % e totalit të shpenzimeve janë shpenzime që shkojnë për mbrojtjen sociale Shqipëria është ndër vendet e para të rajonit që shpenzon më shumë për çështje sociale”, tha ai.

Malaj vuri në dukje se buxheti 2025 jo vetëm rrit investimet publike, por njëkohësisht ul edhe nivelin e borxhit publik duke e çuar atë në nivele historike.

“E kemi marrë me 70.4 % nivelin e borxhit publik në 2023-shin dhe po e çojmë në 55.8 %. Është ulja më e madhe e borxhit”, tha ai.

Malaj iu përgjigj edhe akuzave të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili hodhi akuza ndaj qeverisë për shpërdorim të fondeve publike, kryesisht ato të drejtuara në infrastrukturë, kur ato fonde, theksoi ai, duhet të shkonin për pensione dhe ndihmë ekonomike.

Malaj bëri të ditur se kosto e ndërtimit të disa akseve rrugore erdhi për shkak të rishikimit të projekteve të fisibilitetit të disa rrugëve.

Sa i takon pensioneve, Malaj bëri të ditur se opozita u kujtua tani të ngrinte problemin e pensioneve të ulëta, ndërsa qeveria prej 3 muajsh ka deklaruar se po e rishikon situatën./ata