Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Samitin e Ndryshimeve Klimatike (COP29) në Baku të Azerbajxhanit, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Siç njoftojnë nga Presidenca e Maqedonisë së Veriut, në takim u bisedua për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet dy vendeve, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik, si dhe për aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“Në takim u konstatua se Hungaria mbetet një përkrahëse e fuqishme e integrimeve evropiane maqedonase dhe në këtë kontekst presidentja Siljanovska-Davkova shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Hungaria ofron në disa fusha, përfshirë aspiratat evropiane të vendit tonë, si dhe fakti që çështja e zgjerimit qëndron lartë në agjendën e presidencës aktuale hungareze me BE-në”, thuhet në njoftim.

Presidentja Siljanovska-Davkova në takim gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut nuk sheh alternativë për integrimin dhe anëtarësimin e plotë në BE dhe tha se shpreson për një proces të drejtë të anëtarësimit në BE që do të respektojë dinjitetin e qytetarëve maqedonas./aa