Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar sot, lidhur me hetimin e Komisionit Hetimor për sistemin “TIMS”-in.
Sipas Salianjit ky hetim nxori në publik ndërhyrjet e qëllimshme në këtë sistem të dhënash. Ai thekson se, përfundimet e këtij hetimi, janë një bazë e mirë për ndjekje të mëtejshme nga SPAK.
Salianji u shpreh se, Kryetarja e Kuvendit nuk i ka përcjellë SPAK-ut konkluzionet e Komisionit Hetimor.
Nga kabina telefonike e burgut ku po vuan dënimin e tij, Salianji kërkoi që “të gjenden arsyet, qëllimi dhe përgjegjësia për këtë akt të rëndë, të pengimit të drejtësisë dhe mbrojtjes së krimit, që të çon vetëm në një drejtim”, tha ai.
Ai u shpreh se, “ato hetime parlamentare janë punë e kontribut disa mujor me kolegë dhe ekspertë dhe është një shërbim i vyer ndaj interesit publik, lidhur me ndërhyrjet kriminale në sistemin TIMS”.
“Ato konkluzione janë serioze dhe profesionale dhe ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës dhe të përgjegjësive”, theksoi Salianji.
Ai u shpreh i bindur se një nga arsyet e burgosjes së tij janë edhe gjetjet e atij komisioni.
“Jam i bindur edhe më shumë sot se një nga arsyet e burgosjes time politike është dhe zbulimi i manipulimeve me TIMS për të ndihmuar krimin e organizuar. Dhe kjo është padyshim një arsye e një motiv më shumë për betejë me regjimin, dhe një konfirmim i kauzave tona të drejta”, tha Salianji./ata