TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në takim homolgun e tij kosovar Albin Kurti. Pas takimit Rama bën me dije se në fokus të bisedimeve ishte marrëveshja e Ohrit dhe ecuria e mëtejshme e procesit të zbatimit të saj. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Rama shkruan se ka mbështetur vendimin e kreyministrit për hapat e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ndërsa theksoi se mbledhja e ardhshme e të dy qeverive do të mbahet në qershor.
"Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj. I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë. Ramë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor", shkruan Rama.