Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dhe homologu italian Francesco Lollobrigida, shprehën angazhimin e përbashkët për ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë, për të krijuar më shumë sinergji mes dy vendeve në zhvillimin ekonomik.

 

Krifca dhe Lollobrigida morën pjesë në takimin me përfaqësues të bizneseve prodhueseve bujqësore dhe dhomave të tregtisë shqiptare me përfaqësitë më të larta të sipërmarrjes italiane, ku vunë theksin në forcimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e tregjeve për eksportet bujqësore.

 

“Me ministrin e Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Pyjeve, Francesco Lollobrigida, organizuam në Ministrinë e Bujqësisë, jo vetëm një takim bilateral e politik, por një panel diskutimi shumë të rëndësishëm të biznesit mes prodhuesve, fermerëve, shoqatave bujqësore dhe dhomave të tregtisë shqiptare me përfaqësitë më të larta të sipërmarrjes italiane, si Agjencia për Shkëmbimet Tregtare Italiane IÇE – organizëm kyç për promovimin e produkteve në botë, Coldiretti, Federatën Kombëtare të Kultivuesve, si dhe me COPAGRI dhe CIA (ÇIA) – organizma italianë dhe evropianë që përfaqësojnë pjesën më të madhe të prodhuesve ushqimorë italianë, Filiera Italia – shoqata që bashkon prodhuesit bujqësor dhe agropërpunuesit, Confagricoltura – organizata që mbron dhe përfaqëson ndërmarrjet bujqësore italiane në inovacionin e biznesit, qëndrueshmërinë e praktikave bujqësore dhe konkurrencën e kompanive”, u shpreh Krifca.

 

Ministrja tha se, kjo vizitë nuk është vetëm një vullnet i mirë i dy qeverive, por dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur shkëmbimet tregtare, eksperiencën e kompanive, rritjen e punësimit si dhe përgatitjen për të ardhmen e bujqësisë në vendet tona.

 

Ministri i Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë i Republikës së Italisë Francesco Lollobrigida po zhvillon një vizitë pune në Tiranë, me ftesë të homologes shqiptare, ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.

 

Vizita e ministrit Italian Lollobrigida vjen pas vizitës së suksesshme të Krifcës në Itali në fillim të dhjetorit të kaluar, ku gjatë takimit mes tyre homologët ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme për të dy vendet si mundësia e rritjes së prezencës së produkteve shqiptare në tregun italian, rritja e potencialit të bashkëpunimit për ullirin apo edhe lidhja direkte e pikave të grumbullimit me hipermarketet italiane për fruta dhe perime.  Këto tema por edhe mjaft pika të tjera të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit janë risjellë në tryezën e bisedimeve në Tiranë, ku ministri Lolobrigida bashkë me ministren Krifca dhe delegacionet respective po zhvillojnë një agjendë të ngjeshur takimesh me aktorë të rëndësishëm të linjës.