Të tjera detaje janë zbardhur nga sherri i dhunshëm që i mori jetën 46-vjeçarit në Tiranë. Raportohet se, ngjarja ka ndodhur në 2 të natës më 31 mars në zonën e ish-Bllokut, në një prej lokaleve të zonës.

 

Mësohet se Henri Gjapi është konfliktuar me Gentian Taljen, ndërsa në sherr ka ndërhyrë edhe shtetasi Artur Gjolena.

 

Nga pamjet filmike që disponon grupi hetimor, si pasojë e goditjes Gentian Talja është rrëzuar dhe i ka rënë koka në bordurë, ndërsa prej 5 ditësh ndodhej i shtruar në spital. Ndërkohë, ditën e djeshme, ai është futur në intubim dhe më pas ka ndërruar jetë.

 

Me anë të një njoftimi për mediat, ditën e sotme, Policia e Shtetit njofton se vijon punën për të arrestuar Henri Gjapin.

 

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë referuar materialet në Prokurori, për shtetasin A. Gj., 41 vjeç, dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin H. Gj., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë. Më datë 31.03.2023, në rrugën “Vaso Pasha”, shtetasi H. Gj. është konfliktuar me shtetasin G. T., 46 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore. Gjatë këtij konflikti, ka ndërhyrë edhe shtetasi A. Gj., i cili ka goditur shtetasin H. Gj. Si pasojë e dëmtimeve, 46-vjeçari ka ndërruar jetë në spital, ditën e djeshme. Vijon puna për kapjen e shtetasit H. Gj”, njofton Policia e Shtetit.