Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka deklaruar se me anëtarësimin e Finlandës, 22 prej 27 vendeve anëtare të BE-së kanë hyrë nën ombrellën e NATO-s.

 

Borrell, bëri deklarata për shtyp në selinë e NATO-s ku ai mbërriti për të marrë pjesë në sesionet e ditës së dytë të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s.

 

"Kjo e ka afruar edhe më shumë BE-në me NATO-n, na bën ne më të fuqishëm së bashku", tha Borrell, duke iu referuar anëtarësimit të Finlandës në NATO.

 

Ndër të tjera Borrell uroi që Suedia të bëhet anëtare e NATO-s në kohën më të afërt.

 

Austria, Administrata e Qipros Greke Jugore, Irlanda, Malta dhe Suedia të cilët janë anëtare të BE-së nuk janë të anëtarësuar në NATO. Suedia merr pjesë në takime me statusin e vendit të ftuar, të cilin e mori në Samitin e Madridit vitin e kaluar.

 

Mbledhje me partnerët Azi-Paqësor

 

Duke u shprehur se në takimin e sotëm do të diskutojnë rrugët për të mbështetur Ukrainën, Borrell theksoi se Ukraina do të jetë një prej pikave më të rëndësishme të agjendës edhe në mbledhjen që do të mbahet me partnerët e rajonit Azi-Paqësor.

 

BE-ja është e vendosur të bashkëpunojë me Kinën në zgjidhjen e problemeve globale, deklaroi Borrell, duke shtuar se BE-ja në muajin maj do të zhvillojë takim në nivel ministrash me Australinë, Zelandën e Re, Japoninë dhe Korenë e Jugut.

/AA