Urgjenca e re Polivalente në Spitalin Qendror në kompleksin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ofron kushte më të mira për pacientët dhe personelin mjekësor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale pamje nga urgjenca si dhe opinionet e personelit shëndetësor për mjediset e reja.
Prof.As, Eqerem Hasani shef i shërbimit të Urgjencës në QSUT tha se “mendoj që nuk ka nevojë për koment, nuk ka shumë fjalë. Para 4 vjetëve ishte një fushë sot është një produkt që do t’u shërbejë të gjithë njerëzve në nevojë”.
Dr. Lulzim Çela, në shërbimin e urgjencës në QSUT theksoi se “është një investim që nuk është bërë asnjëherë prej 30 e ca vitesh, nuk i kemi pasur asnjëherë këto kushte”.
Aida Shehu, infermiere në shërbimin e urgjencës në QSUT u shpreh se “ambientet janë fantastike, kushtet e punës që ofrohen tani janë jashtë parashikimeve”.
Albert Husha, kryeinfermier në shërbimin e Urgjencës në QSUT theksoi se “urgjenca ka kushte që krahasohen me spitale të tjera të Europës, sot jemi të barabartë me ta”.
Korba Gjana, infermier tha se “u mahnita nga struktura që është përdorur në urgjencë, ndarja e dhomave dhe triazhimi i tyre si dhe teknologjia që është një nga gjërat më të rëndësishme, që na i lehtëson punën në përditshmërinë tonë”.
Infermiere të tjera u shprehën se falë këtij investimi dinijtoz të gjithë ne, personeli mjekësor kemi mundësinë të japim maksimumin tonë.
Urgjenca Polivalente e Spitalit Qendror në QSUT do të riorganizohet, në funksion të një përgjigjeje më të shpejtë dhe të koordinuar të urgjencave mjekësore, teksa do të nisë së shpejti transferimi i shërbimeve në spitalin e ri.
Spitali i ri Qendror në QSUT, një spital krejtësisht i ri i ndërtuar nga themelet për sëmundjet e brendshme është vepra më e madhe infrastrukturore në shëndetësi në tre dekadat e fundit. Spitali Qendror ka një sipërfaqe ndërtimi 26 mijë m2, me kapacitet 345 shtretër ku akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca, imazheria, etj.