Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) miratoi strategjinë për periudhën 2023-2027.

 

Ky dokument paraqet vizionin e Autoritetit për zhvillime të qëndrueshme dhe të sigurta në tregjet nën mbikëqyrje.

 

Strategjia 2023-2027 përcakton disa prioritete të rëndësishme për zhvillim, për periudhën afatmesme dhe është strukturuar sipas drejtimeve të mëposhtme: forcimi i stabilitetit financiar, rritja e efektivitetit të mbikëqyrjes dhe integritetit të tregjeve; përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane, zhvillimi dhe modernizimi i tregjeve; mbrojtja e interesave të konsumatorit dhe investitorit; zhvillimi i financimit të gjelbër dhe harmonizimi me praktikat evropiane; digjitalizimi dhe përmirësimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit.

 

Autoriteti synon promovimin dhe nxitjen e standardeve të larta për mbrojtjen e konsumatorëve dhe integritetin e të licencuarve, garantimin e stabilitetit të tregut financiar jobankar, si dhe përmirësimin e shkallës së profesionalizmit, nëpërmjet forcimit të vazhdueshëm të rregullimit dhe mbikëqyrjes të tregjeve.

 

Vizioni i Autoritetit është të kontribuojë drejt përafrimit legjislativ dhe rregullator me Bashkimin Evropian, për forcimin e standardeve të tregjeve nën mbikëqyrje, si dhe të lehtësojë ndërlidhjen e tregjeve vendase me ato ndërkombëtare./ATSH