Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti delegacionin e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari, Ardian Gola.

 

Në takim ishin të pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Dyrmishi, dhe drejtuesit e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka, dhe Petro Koçi.

 

Kryetarja Nikolla vuri në dukje se, “bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është në ditët e tij më të mira dhe bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës, teknologjisë, kulturës, medies dhe sportit mes dy Kuvendeve dhe mes Shqipërisë e Kosovës, është një faktor i rëndësishëm për kohezionin kombëtar. Ky bashkëpunim nuk është vetëm vëllazëror, por përmbajtësor.”

 

“Bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kosovës në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës është intensifikuar. Hartimi i Enciklopedisë Shqiptare ka filluar si një vepër e përbashkët e dy Akademive dhe e shkencëtarëve nga Shqipëria dhe Kosova”, tha Nikolla.

 

Kryeparlamentarja Nikolla u shpreh se, “bashkëpunimi në fushën e teknologjisë, sidomos teknologjisë së informacionit, në kushtet e sotme kur shumica dërmuese e shërbimeve publike ofrohet online dhe rrezikut të terrorizmit kibernetik, mbetet gjithashtu një prioritet”.

 

Sporti, shtoi ajo, është gjithashtu një faktor i rëndësishëm i kohezionit kombëtar.

 

“Para pak ditësh, kampionet e Kosovës, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi u bënë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, tha Nikolla.

 

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, si edhe anëtarët e Komisionit falënderuan Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për mbështetjen dhe bashkëpunimin mes dy kuvendeve.

 

Gola vuri në dukje se, bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është shumë i rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve.

 

Të dy komisionet respektive po nxisin bashkëpunimin mes Akademive, universiteteve dhe institucioneve shkencore, sidomos në fushën e albanologjisë.