Sali Berisha vendimin e Kolegjit Zgjedhor për mos vendosjen e emrit të tij, por të Ilir Metës në fletën e votimit si kryetar koalicioni, e quan të diktuar nga Kryeministri Edi Rama.

 

Nga takimi elektoral në Këlcyrë ky prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Arjan Kasaj, Berisha tha se anëtarët e Kolegjit janë mercenarë të Ramës.

 

 

“E ka kapur tmerri nga opozita dhe urdhëron mercenarët e tij të shkelin ligje dhe Kushtetutë, t’i emërojë koalicionit, kryetarin e koalicionit, të cilin ligji ia njeh në mënyrë eksplicite anëtarëve të koalicionit. Mua më bën nder se tregon tmerrin që ka nga Sali Berisha, por problemi është shikoni se çfarë qëndrimi ka ndaj opozitës.”

 

Berisha kërkoi votën e qytetarëve në 14Maji dhe premton se nëse fitojnë në këto zgjedhje do ta largojë Ramën shumë shpejt nga pushteti.

 

 

“Ndryshimi fillon me datë 14, por me ndryshimin vjen shpresa, me ndryshimin e datës 14, ju garantoj unë ju dhe të gjithë shqiptarët, se Edi Rama do i ketë muajt të numëruar në pushtet.”

 

Pas Këlycës, ai u ndal edhe në Përmet ku hodhi akuza për kundërshtarët.

 

 

“Edmondi ka për rival një shoqe anonime, ajo e ka një emër, por për emërimin e saj nuk është pyetur asnjë socialist, nuk është pyetur as dega e PS e Përmetit. Këta janë kandidatë që dalin të gjithë nga bodrumi i Edi Ramës.”

 

Gjatë prezantimit të kandidatit Edmond Komino, Berisha u kërkoi votën përmetarëve duke kujtuar punët e bëra në kohën kur ai ka qenë në pushtet.