Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama foli sot për kandidatët e koalicionit “Bashkë fitojmë”, për të cilët u shpreh se, “janë bërë kukulla dhe maskë për zorrën qorre”.
Pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, në një prononcim për mediet, i pyetur për posterin elektoral të kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, Rama tha se, “është humbje kohe për votuesit të merren me individë të tillë që, më shumë se mungesa e dëftesave, kanë probleme se janë bërë kukulla dhe maskë për zorrën qorre”.
Më tej, ai theksoi se, “është e patolerueshme t’i japësh fytyrën tënde surretërve të së shkuarës që janë në sheshin e betejës për të marrë peng të ardhmen e vendit për inatet e tyre personale”.
“Nuk kam asnjë koment sepse është humbje kohe edhe është vërtetë një lloj ofendimi për votuesit që të merren në konsideratë individë që përtej të gjithave, përtej dëftesave të shkollës që i mungojnë, përtej gishtave të mesit që i ngatërrojnë nuk e di se me cilin mision, nuk më bëjnë shumë përshtypje sepse këta njerëz kanë një problem shumë më të madh: Janë vënë në dispozicion si parfum, si kukulla, si maska për zorrën qorre. Jo për një zorrë qorre që përfaqëson thjesht një alternativë të kalbur, por është një apendicit në trupin e Shqipërisë. Kjo është gjëja më e rëndë. Mund të mos kesh dëftesë, punë e madhe shumë. Mund ta kesh ngresh edhe gishtin e mesit në një moment. Këto janë gjëra që kalojnë. Por t’í japësh fytyrën surretërve të së shkuarës, që janë në sheshin e betejës për të marrë peng të ardhmen e vendit për inatet e tyre personale, jo është e patolerueshme”, deklaroi kryeministri.