Partia Demokratike dënoi sot gjuhën denigruese të përdorur në fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 majit, nga disa liderë politikë.
Në një deklaratë për mediet, Drejtoresha e Komunikimit të fushatës së kandidatit të PD-së për Tiranën, Mirela Karabina, u bëri thirrje forcave politike dhe liderëve politikë të përdorin një gjuhë dhe një retorikë të pranueshme brenda rregullave demokratike që përcakton një garë elektorale.
“Partia Demokratike e Shqipërisë konstaton me keqardhje se gjuha e fushatës elektorale po shndërrohet nga politika në një gjuhë degraduese dhe fyese për të gjithë opinion publik shqiptar. Një gjuhë, e cila nuk i ka hije aspak garës politike demokratike dhe klimës së përgjithshme në funksion të saj”, u shpreh Karabina.
Po ashtu, Karabina shtoi se, fyerjet ndaj kundërshtarëve, fjalori banal dhe ofenduese nuk i shkojnë përshtat asnjë politikani dhe një shoqërie të civilizuar.
“Kjo gjuhë nxit urrejtjen, ofendimet dhe përçon mesazhe degraduese në shoqërinë shqiptare, dhe është shembulli më i keq që një kryeministër mund të japë. Gjithashtu kërkojmë që të ndalohen publikimi i posterave politikë me mesazhe dhe gjeste kundër etikës, kundër normave të pranuara të komunikimit dhe politikës, të cilët përcjellin dhe nxisnin në shoqërinë shqiptare fyerje, sharje, dhe shkelin kodet e sjellës së mirë. Qëllimet politike nuk duhet të tejkalojnë asnjëherë etikën e komunikimit dhe normat e një shoqërie të civilizuar. Bashkëjetesa, komunikimi brenda normave, sjellja e mirë dhe toleranca janë parime, të cilat ndihmojnë shoqëritë të emancipohen, ndihmojnë politikën të jetë në funksion të zhvillimit demokratik dhe ekonomik. Çdo gjest apo fjalor kundër këtyre parimeve shkakton regres, prapambetje dhe një kilimë konfliktuale brenda shoqërisë shqiptare”, theksoi ajo.