Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi zhvilloi sot një takim me banorët e Laprakës në Tiranë.
Fillimisht, banorët ngritën shqetësimin e projektit të hekurudhës, i cili rrezikon t’i ndajë në dy pjesë duke ndërprerë marrëdhëniet mes komunitetit dhe familjeve.
Këlliçi iu përgjigj se mbikalimi do të bëhet realitet pas 14 majit.
“Fjala ime është që ai projekt do të bëhet realitet pas 14 majit. Mbikalimet që janë kaq të nevojshme në këtë zonë, që kërkohet me lidh të dyja zonat bashkë, nuk kushtojnë asgjë në një buxhet prej 246 milionë eurosh që ka bashkia e Tiranës”-u shpreh Këlliçi.
Këlliçi denoncoi edhe gjendjen e infrastrukturës në Laprakë.
Këlliçi kërkoi mbështetjen e qytetarëve, duke u shprehur se Erion Veliaj ka afatin e skadencës për 12 ditë.
“Shihni këtu, shihni ku kalojnë makinat përditë. Shihe ku kalojnë makinat, shihe këtë këtu! Kjo ka qenë kërkesë e banorëve, që kanë thënë: Belind na jep mundësinë që ne të tregojmë realitetin se nuk e shohim kurrë, as në media as në rrjete sociale, askund. Unë jam këtu për t’i shërbyer qytetarëve. Qytetarët e Tiranës nuk duhet të kenë më dallime. As të djathtë e as të majtë, as me parti e as pa parti. Jemi të gjithë qytetarë të Tiranës. Imagjinoni një nënë të re, me karrocën me fëmijë, që kalon në këtë rrugë. Kjo rrugë është në këtë gjendje tani që është thatë, po kur bie shi? Po kur bie shi, me çizme, 2023. Erion Veliaj 12 ditë e ka afatin e skadencës, 12 ditë!”-u shpreh Belind Këlliçi.
Edhe në Laprakë, Belind Këlliçi prezantoi programin e tij me 5 prioritete: Transport publik falas; nënkalimi te “Sheshi Skënderbej”; ulje e taksave dhe tarifave vendore; 500 oaze të gjelbra si dhe ndërtim të shkollave, çerdheve dhe kopshteve.