Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër të pandehurit me inicialet Ç.A., i cili akuzohet për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar – maj 1999 në Kosovë. “I akuzuari Ç.A., në periudhën kohore janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal (tani për tani të pa identifikuar), të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që siç thuhet në njoftim “janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin”.

 

 

 

Më 2 maj, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj një personi tjetër me inicialet D.R, i dyshuar se ka dhunuar seksualisht një grua gjatë luftës në Kosovë. Kjo ishte aktakuza e parë e ngritur në mungesë të të akuzuarit. Sipas Prokurorisë, i akuzuari D.R., kishte qenë pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kohën e luftës në Kosovë.

 

Ai sipas aktakuzës ka kryer dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare, e cila pësoi “lëndime fizike në trup si dhe trauma të rënda të përhershme psikike”. Numri i saktë i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk dihet por përgjatë viteve të pasluftës organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare kanë thënë se numri mund të arrijë deri në 20 mijë. Ndërkohë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka të dhëna për rreth 900 viktima. Kosova ka shpallur 14 prillin si Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës së fundit.