Vijon ende procesi i numërimit të votave për Këshillat Bashkiakë në 6 bashki në vend.

 

Në Tiranë janë numëruar 901 kuti nga 941. Partia Socialiste udhëheq garën dhe deri më tani rezulton të ketë fituar 34 mandate. “BF” merr 16 mandate.

 

Në Kukës kanë mbetur për t’u numëruar 18 kuti. Për momentin udhëheq PS-ja me vota, por nëse ndahet në mandate ajo, së bashku me PAA-në marrin nga 4 anëtarë në Këshill. Megjithatë pritet përfundimi i numërimit të votave pasi diferenca është e ngushtë.

 

Në Kurbin janë numëruar 35 kuti nga 74 qendra votimi që janë gjithsej. Edhe këtu udhëheq Partia Socialiste. Në Kurbin ka marrë deri më tani 8.36% kandidati i pavarur për këshill, Diogjen Kolici, duke rritur shanset për të fituar një vend.

 

Në Krujë do të numërohen edhe 12 kuti. PS-ja udhëheq bindshëm garën duke fituar deri më tani 12 mandate.

 

Edhe në Kavajë pritet që të mbarojë shumë shpejt numërimi. Teksa kanë mbetur edhe 3 Qendra Votimi për t’u numëruar, PS merr 13 mandate.

 

Në Malësi të Madhe vijon po ashtu numërimi. Këtu udhëheq Partia Socialdemokrate, e cila mund të marrë 8 mandate. Ndiqet nga PS që është në kuotën e 7 mandateve. Në Malësinë e Madhe kanë mbetur pa u numëruar 22 kuti votimi.