Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi sot disa kërkesa ankimore të depozituara nga subjektet politike për zgjedhjet e 14 majit.
Në përfundim të shqyrtimit paraprak, KAS vendosi pushimin e shqyrtimit të kërkesës ankimore të depozituar nga Partia Lëvizja e Legalitetit me objekt shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në dy qendra votimi në bashkinë Tiranë”.
Po ashtu, KAS vendosi të mos kalojë për shqyrtim kërkesën ankimore të depozituar nga Partia Lëvizja e Legalitetit me objekt shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në dy qendra votimi në bashkia Kamzë, si dhe kërkesën për shpallje të pavlefshme të zgjedhjeve në 7 qendra votimi në bashkinë Tiranë.
Gjithashtu, KAS ktheu për plotësim kërkesat ankimore të depozituara nga Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë me objekt kundërshtimin e vendimit të KZAZ-së nr. 7 në bashkinë Pukë dhe rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të vlefshme dhe të pavlefshme të subjekteve për këshillin, për të gjitha qendrat e votimit të kësaj KZAZ-je.
KAS ktheu për plotësim kërkesën ankimore të depozituar nga Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë me objekt kundërshtimin e vendimit të KZAZ-së së bashkisë Përmet, si dhe që kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave për të gjithë qendrat e votimit të kësaj KZAZ-je.
Ndërkohë, KAS vendosi kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore të Partisë Lëvizja e Legalitetit me objekt “Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në QV nr. 1100, nr. 1575 në Bashkinë Dibër.