Ish-ushtaraku britanik, Hari Budha Magar, i cili është një veteran i luftës në Afganistan, ku ka humbur të dyja këmbët, është bërë i pari person me të dyja gjymtyrët e poshtme të amputuara që ngjit malin e Everestit.
“Unë e bëj për të gjithë invalidët, do të vazhdoj të punoj për ta”, ishte komenti i tij pas arritjes.
44-vjeçari që luftoi në Brigadat Gurkha, një njësi speciale e ushtrisë britanike e përbërë nga ushtarë nepalezë humbi dy gjymtyrët e poshtme në vitin 2010 kur shkeli mbi një minë.
Por kjo nuk e pengoi Magar që të ndiqte ëndrrat. Ai tashmë është një alpinist që thyen rekorde prej vitit 2017.
“Fokusi im kryesor për pjesën tjetër të jetës sime do të jetë të punoj për të rritur ndërgjegjësimin për aftësinë e kufizuar“, tha Magar pas kthimit të tij në Katmandu, mes qindra dashamirësve dhe zyrtarëve, përfshirë ministrin e Turizmit të Nepalit, i cili e priti atë në aeroport dhe i dha kurora.
Nga aeroporti, më pas, me një kamion të hapur të zbukuruar me lule, ai parakaloi nëpër kryeqytet, duke ia bërë me dorë turmës gjatë rrugës.
“Të gjithë kemi dobësitë dhe paaftësitë tona, por në vend të dobësive duhet të fokusohemi në pikat tona të forta dhe vetëm atëherë të gjithë mund të bëjmë një jetë më të mirë dhe kuptimplotë”, shtoi ish-ushtaraku.
Ai më pas rrëfeu se gjatë ngjitjes për në majë mbeti pa oksigjen.
“Ajo ishte hera e parë që përjetova se si është të jesh i privuar nga oksigjeni. Kisha një ndjesi shpimi gjilpërash, duart dhe këmbët e mia ishin të ftohta, isha pa frymë“, tha ai.