Blendi Fevziu ka reaguar për ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në fshatin Borizanë të Krujës, ku dy anëtarë të fisit Maja u dhunuan brutalisht nga fisi Rraja.

 

Në një postim në rrjetet sociale, Fevziu shkruan se videoja e dhunës e publikuar dje është një sfidë ndaj qytetarit, ndaj shoqërisë por edhe ndaj shtetit, të cilin sipas Fevziut dhunuesit nuk e kanë frikë.

 

Ai thekson se duket se më shumë trembet shteti nga këta persona se ata nga policia dhe drejtësia.

 

“Pamjet e kësaj videoje të tmerrshme që janë publikuar dje (dhe që nuk po i ripublikoj të plota për hir të etikës dhe rregullave të Instagramit), nuk janë thjeshtë një akt dhune. As një sherr banal. Janë sfidë ndaj qytetarit, ndaj shoqërisë dhe padyshim ndaj SHTETIT të cilin duket hapur që këta njerëz as e kanë frike dhe as e kanë në llogari. Më shume duket se trembet shteti nga këta persona se sa ata nga policia dhe drejtësia. Imazhe si këto e dëmtojnë Shqipërinë më shumë se sa çdo gjë tjetër”, shkruan Fevziu.