Një ditë para protestës së thirrur nga Sali Berisha, policia e Tiranës ka njoftuar sot për bllokim të disa segmenteve rrugore.

 

“Në zbatim të detyrave të përcaktuara nëplanin e masave të hartuar nga Policia e Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet në datën 11.02.2023, në orën 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, do të angazhojë shërbimet e Policisë, për bllokimin e qarkullimit në disa segmente rrugore, si dhe për bllokimin e pjesshëm të qarkullimit në disa segmente të tjera rrugore.

 

Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga ora 06:00 e datës 11.02.2023, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

 

Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 11.02.2023 deri në përfundim të tubimit. Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim”-thuhet në njoftim.