Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje sot investimet në shëndetësi ku janë zgjeruar shërbimet, duke garantuar një standard të ri për nënat dhe të porsalindurit.

 

Rama u shpreh se është drejt përfundimit faza e parë e investimit në Maternitetin “Koço Gliozheni” për rehabilitimin e Urgjencës dhe Qendrës së Gruas.

 

Po ashtu, sipas tij, do të ngrihet për herë të parë Qendra e Riprodhimit të Asistuar.

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi dje punimet që po kryhen në këtë maternitet, ku brenda tetorit pritet të përfundojë faza e parë e investimit dhe më pas deri në dhjetor edhe faza e dytë.

 

Duke folur Qendrën e Riprodhimit të Asistuar, ajo informoi se po punohet për investimin sa i përket strukturës dhe më tej pajisjes biomjekësore dhe paketës së barnave, që janë të nevojshme për të filluar prodhimin e asistuar për herë të parë në spitalet publike ashtu si kemi premtuar. Po ashtu, ministrja theksoi se po punohet edhe për përgatitjen e stafit dhe fuqizimin e kapaciteteve në këtë drejtim, në mënyrë që të kemi edhe një ekip të mirë trajnuar.

 

Investimi në maternitetin “Koço Gliozheni” është pjesë e investimeve për shëndetin e nënës dhe fëmijës në maternitete.