Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “është një bekim për ne që e kemi Bashkimin Europian pranë vetes dhe pjesë të së ardhmes sonë”.
Në fjalën e tij në panelin “Rruga drejt zgjerimit” mbi rolin që institucionet më të rëndësishme financiare mund të luajnë në rrugën drejt integrimit në BE, të zhvilluar në Luksemburg, Rama tha se “në këtë moment BE ka hedhur një hap të jashtëzakonshëm përkundër çdo lloj probabiliteti dhe ndërkohë e për herë të parë BE ka filluar të mendojë jashtë kornizave për Ballkanin Perëndimor. Po flas për këtë plan të ri të rritjes që është një hap përtej të zakonshmes, sepse çel shtigje që më parë qenë të hapura vetëm për shtete anëtare”.
Kryeministri Rama vuri në dukje se “më është dashur të kaloj një traumë të gjatë me BE-në. Ndërkohë që ne këmbëngulnim që të hapeshin bisedimet, ndërsa ata këmbëngulnin që na donin, por nuk ishin gati të flisnin”.
“Është një përvojë shumë traumatike, por ka përfunduar, kemi çelur bisedimet e anëtarësimit dhe në këtë epokë posttraumatike jam i prirur ta lëvdoj BE-në sesa ta fajësoj atë. Përgëzimi është plotësisht i merituar se po shohim shërbimin jashtë mase përfitues që po na jep BE-ja përmes këtij procesi të bisedimeve, një hapësirë e jashtëzakonshme dije, kjo bën dallimin mendoj dhe kjo është ajo çfarë bën dallimin për Moldavinë dhe Ukrainën përkundrejt vendeve të tjera që nuk e kanë këtë perspektivë, se ku ta gjejnë dijen se kush t’u thotë si të ndërtojnë institucionet, llogaridhënien e shtetit përkundrejt qytetarëve, kush do t’i shoqërojë në këtë rrugëtim, askush”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “në këtë moment BE-ja ka hedhur një hap të jashtëzakonshëm përkundër çdo lloj probabiliteti”.
“Nëse e doje këtë martesë do të duhet të duroje kohën e gjatë të pritjes ndërkohë nuk kishe asgjë apo gjëra shumë të vogla. Më kujtohet kur i tregova Ursulas dhe të tjerëve faktet, të dhënat, kontributet për frymë të BE-së për anëtarët e vet dhe në rajonin tonë, që është 4300 e ca për vit, ndërkohë që kontributi për frymë i BE në rajon është 138 euro. Imagjinoni se si janë prirjet kur vjen fjala për konvergjencën sidomos pas pandemisë kjo u bë më dramatike sepse shtetet anëtare kishin mundësi të shfrytëzonin fonde shtesë dhe të përfitonin nga programe të jashtëzakonshme mbështetje ndërkohë që ne ishim tërësisht jashtë”, nënvizoi Rama.
Plani i ri i rritjes, shtoi Rama, është hapje e jashtëzakonshme për ta parë të ardhmen në një mënyrë ndryshe, qoftë nga ana e BE dhe nga ana jonë.
“Në kuadrin e BERZH dhe të Bankës Evropiane, ka diçka të rëndësishme që duhet të përdorim, që nuk janë paratë por dija. Shpresoj se do të marrim më shumë sa i takon dijeve për rritjen graduale të investimeve për inovacionin apo instrumente që janë katalizatorë sepse këtu na mungojnë mjaft kapacitete. Nëse teknologjia nuk do të kishte hyrë në jetët tona, e ardhmja jona do të kishte qenë padyshim mjaft e zymtë dhe të dhënat nuk do të nënkuptonin asgjë. Teknologjia është bekimi ynë, ndoshta është mallkim për Gjermaninë, sepse kanë krijuar një makineri kaq të jashtëzakonshme me letra sa që kanë më të vështirë për t’u kthyer në pjesën digjitale duke qenë edhe gjermanë, por për ne nuk kemi makineri kaq të mëdha burokracie për t’i shndërruar në diçka tjetër, kjo në fakt është një faqe e bardhë bosh, ku mund të hedhim hapa të jashtëzakonshme përmes teknologjisë”.
“Mendoj që kjo na jep dyer shumë më të hapura qoftë nga BERZH, Bankës së Investimeve, natyrisht edhe nga BE-ja për të mbështetur transformimin tonë përmes teknologjisë përmes digjitales dhe inteligjencës artificiale. Na duhet të bëjmë maksimumin, sepse varet nga ne asgjë nuk vjen e mirëqenë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, “shpresoj që do kemi durim dhe vullnetin e mirë, sinqerisht nuk po kërkoj integrim të shpejtë dhe të pabazuar në meritë”./aa