Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja është zotuar se institucioni që ai drejton do të ketë më shumë ritëm e vëmendje për zgjidhjen e burokracive e çështjeve që mbajnë pezull prej vitit 2019, projektin aq të bukur të rijetësimit të Kullës dhe Muzeut të Prek Calit, Martirit të Demokracisë dhe prijësit të Kelmendit.

Gonxhja priti drejtues të fondacionit “Prek Cali” në New York me të cilët bisedoi edhe për projekte të tjera të ministrisë që drejton.

Sipas Gonxhes, do të përshpejtohet edhe puna për Muzeun e Lahutës së Malësisë, si një trashëgimi e çmuar e identitetit dhe historisë sonë kombëtare. Këto nisma, sipas ministrit Gonxhja, do të mbështeten energjikisht nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“I kërkova ndjesë drejtuesve dhe përmes tyre edhe anëtarëve të Fondacionit “Prek Cali” në New York, për vonesën e aparatit tonë shtetëror ndaj tyre, duke i falënderuar njëkohësisht për angazhimin dhe kontributin e vyer që si pjesë e diasporës kryejnë për vendlindjen”, është shprehur ministri në një takim me përfaqësues të Fondacionit “Prek Cali”.

Më tej Blendi Gonxhja ka falënderuar atdhetarët e diasporës për mirëkuptimin si dhe gjithë shpirtrat shqiptare që presin me padurim materializimin e krenarisë së tyre për traditat e Malësisë së Madhe./ata