Potencialet turistike të Vlorës dhe Sarandës u prezantuan sot në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin.
Të pranishëm në stendën shqiptare për prezantimin e këtyre dy bashkive ishin ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryetari i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha si edhe kryetari i bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi.
“Saranda dhe Vlora ishin ‘kripa’ mbi shijet e ‘Albania all Senses’ gjatë këtij edicioni të ITB-Berlin. Me ujërat e bruzta, kurorat e maleve, sitet arkeologjike, një traditë fantastike kulinare të Mesdheut dhe së shpejti me aeroportin e ri i gjithë bregdeti jugor do të kompletojë më së miri ofertën turistike”, tha ajo.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha vuri në dukje se aeroporti i ri i Vlorës do të lehtësojë procesin e ardhjes së turistëve në Vlorë jo vetëm për të prekur bukuritë e qytetit, por edhe të bregdetit të mrekullueshëm të Shqipërisë.
Ndërsa kryebashkiaku i Sarandës foli për ofertën e pasur turistike që ofron ky qytet.
“Duke pasur detin, malin, lumin por edhe Korfuzin përballë, në një ditë një turist provon shumë emocione. Është fat që ka Shqipëria, Saranda dhe gjithë destinacioni turistik shqiptar”, shtoi ai. /ata