Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha me rastin e 20-vjetorit të zgjerimit më të madh të BE-së, se puna për ribashkimin e Evropës nuk ka përfunduar dhe se Ballkani Perëndimor ka një mundësi historike për të lidhur të ardhmen e tij fort me Bashkimin Evropian.

“Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë një mundësi historike për të lidhur të ardhmen e tyre fort me BE-në”, tha Borrell në një deklaratë për shtyp.

Siç mund të vihet re, ai veçoi dhe Turqinë si një anëtare të mundshme, sfida më e vështirë gjeopolitike dhe gjeoekonomike për BE-në.

“Zgjerimi i BE-së është një politikë transformuese që përmirëson sigurinë, drejtësinë dhe demokracinë duke rritur standardet e jetesës së evropianëve,” shtoi ai.

Diplomati evropian tha se BE-ja dhe vendet kandidate bashkëpunojnë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes për të përballuar më mirë sfidat e shumta gjeopolitike së bashku. Borrell deklaroi se nga shtetet e ardhshme anëtare kërkohet të forcojnë institucionet e tyre demokratike dhe të mbështesin të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, ndërsa BE-ja punon për reformën e saj dhe përgatitet sot për “Bashkimin e së nesërmes”.

Ai nënvizoi se synimi nuk është vetëm për një BE më të madhe, por edhe për një BE më të fortë, “të aftë për të ruajtur dhe projektuar vlerat tona të përbashkëta në mbarë botën”.

“Vendet kandidate dhe BE-ja kanë një mundësi historike për të ndërtuar një Bashkimi Evropian më të madh, më të thellë dhe më të fortë”, tha Borrell.

Një hap i guximshëm

Duke kujtuar se 20 vjet më parë “familja europiane pranoi dhjetë shtete të reja anëtare”, Borrell deklaroi se ishte një hap i guximshëm që bashkoi më tej Evropën, pas dekadash ndarjeje pas Luftës së Dytë Botërore.

Kjo, kujtoi ai, ishte vala më e madhe e zgjerimit të BE-së dhe “ribashkimit të kontinentit që përpiqet për liri për të gjithë njerëzit, paqe, stabilitet dhe prosperitet”.

“Megjithatë, puna jonë për ribashkimin e kontinentit nuk ka përfunduar. Ne e dinim këtë para vitit 2022, dhe dimë edhe më shumë sot, me luftën agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.

 “Në vitet e kaluara, miliona evropianë kanë treguar vullnetin dhe shpresën e tyre për t’u bashkuar me projektin e BE-së,” tha Borrell. /tesheshi.com/