Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në tryezën e diskutimit me përfaqësuesit e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë për të diskutuar mbi disa kërkesa të ngritura nga ata, të tilla si heqja e akcizës së gazit të lëngshëm, apo lejimi i importit të lëndëve djegëse alternative për fabrikat e prodhimit të çimentos.
Gjatë fjalës së saj, ministrja u shpreh se është e rëndësishme që të implementohen praktikat më të mira të Evropës.
Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se do të vijojnë diskutimet me Ministrinë e Financave për akcizën e gazit të lëngshëm lidhur me efektin në buxhet.
Ajo siguroi biznesin se qeveria është e gatshme për të adresuar të gjitha ato çështje që krijojnë lehtësi për biznesin.
“Për ne është e rëndësishme që të gjithë hapat që do të hedhim në të ardhmen të kenë një bazë të mbështetur mbi praktikat më të mira. Nuk pritet nga ne që të shpikim rrotën, nuk do të bëjmë asnjë hap që nuk është bërë nga vendet e BE-së apo nuk ka filluar ta bëjë rajoni. Kjo duhet pasur parasysh dhe nëse qëndrojmë në këtë kornizë, jam e sigurt që do ta zgjidhim në mënyrën më të shpejtë. Ajo që do të kërkoja nga krerët e komisioneve parlamentare të Ekonomisë dhe Veprimtarive Prodhuese është shpejtësia, pasi procesi i ndryshimeve ligjore zakonisht merr një kohë të konsiderueshme”, tha Balluku./ata