Nënstacioni elektrik në Vorë garanton sot cilësi furnizimi me energji elektrike shumë herë më të mirë.

 

Investimi i realizuar ka fuqizuar dhe rritur ndjeshëm kapacitetet e nënstacionit, i cili furnizon me energji elektrike afro 15 mijë banorë dhe 3 mijë biznese.

 

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi nënstacionin elektrik të Vorës, ku është investuar për të rritur kapacitetet duke përmirësuar furnizimin me energji elektrike.

 

“Duhet thënë që kemi ndërtuar 11 nënstacione të reja në këto vite. 2200 kabina të gjitha të reja, mbi 500 mijë matës smart që janë vendosur në të gjithë Shqipërinë dhe ndërkohë, tashmë ne kemi një plan të qartë për të filluar dhe për të pajisur të gjitha kabinat, 26 mijë kabina, me smartmetër dhe më pas të kalojmë në fazën përfundimtare për të bërë të njëjtën gjë me të gjithë abonentët tanë”, tha Balluku.

 

Sipas saj, nga 42% që ishte niveli i humbjeve në këtë zonë, sot llogaritet 7%, që është pothuajse niveli europian i humbjes.

 

“Ky është synimi ynë që ne të arrijmë 6 deri në 4% të nivelit të humbjes teknike, duke qenë se këto janë parimet, kërkesat dhe kriteret e Bashkimit Europian”, deklaroi Balluku.

 

Balluku deklaroi se qeveria synon të rrisë prodhimin e energjisë elektrike me 4 Terra deri në 2030.

 

“Energjia elektrike gjithmonë do të jetë një problem për Republikën e Shqipërisë derisa ne të arrijmë që të prodhojmë ato 4 Terra plus që janë në planin tonë strategjik për tu prodhuar deri në vitin 2030, përmes ndërtimit të Skavicës, përmes ndërtimit dhe operimit të TEC-it të Vlorës, shtimit të kapaciteteve të parqeve fotovoltaike, jo vetëm atë të Karavastasë, por edhe të të Spitallës dhe shumë iniciativa të tjera private të cilat po ndërmerren në këto kohë. E gjithë kjo paketë do të arrijë që ti ofrojë Shqipërisë 4 Tera plus, përveç prodhimit që ne kemi sot, duke na bërë kështu një vend eksportues neto dhe jo një vend importues që jemi sot”, u shpreh Balluku.

 

Nga ana e tij, administratori i OSSH, Blendian Dalipi deklaroi se investimi sjell parametra më të mirë të furnizimit me energji të konsumatorëve.

 

“Në nënstacionin e Vorës janë bërë punime në të gjithë natyrën e nënstacionit duke filluar nga ndërtimi i godinës së re, ndryshimi i transformatorëve, panele të reja dhe fidra dalës të rinj. Është një investim që kap vlerën e 250 milionë lekëve. Konsiston në dy transformatorë të rinj, të cilët ka zëvendësuar dy transformatorët e vjetër që kanë qenë. Si në vendet e tjera jemi në një nënstacion që po kalojmë nga një nivel tensioni më i ulët në një nivel më të lartë që do të thotë parametra më të mirë të furnizimit me energji të konsumatorëve”, tha Dalipi./ATSH