Kryeministri Edi Rama ka uruar sot 14 Marsin, Ditën e Verës e quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit.

Rama ka publikuar një foto në rrjetet sociale me simbolin e kësaj feste që janë veroret.

“Me kënaqësinë që më në fund po çel gjethi, ju uroj një 14 Mars me këmbë të mbarë për stinën e re”, shkruan Rama.

Kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj, jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.

 

 

Në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungojnë ballokumet.

 

Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.

 

Ballokumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste.

 

Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë.