Gjatë qëndrimit të tij në Athinë ku u takua  edhe me ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dha një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”.

 

Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, ai tha se Athina duhet të ndërmarr hapin vendimtar për njohjen e Kosovës.

 

“Ne do të donim të forconim miqësinë tonë me Athinën dhe kemi treguar durim duke kontribuar në këtë marrëdhënie edhe kur njohja nuk ishte në tryezë. Tani që Serbia është angazhuar praktikisht për të njohur Kosovën dhe ngadalë po kupton se është më e mira edhe për të, Athina duhet të përfitojë nga ky moment për të ndërmarrë hapin vendimtar dhe për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Bislimi, ndërsa pohoi se rasti i Kosovës nuk ka të bëjë absolutisht me Qipron dhe se çdo ekuacion i Qipros së pushtuar me Kosovën dëmton çështjen e Qipros, pasi vendi i tij tashmë është njohur nga shumica e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara.

 

“Është në interesin e Qipros që të bëjë sa më shumë që të jetë e mundur për të shmangur këto paralele”, thekson ai. Lidhur me kursin evropian të Kosovës, pas aplikimit të fundit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Bislimi – i cili është edhe përgjegjës për integrimet dhe zhvillimet evropiane – thotë se ajo që pret është që asnjë vend të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, gjë që edhe vetë Serbia tashmë ka rënë dakord.

 

“Tashmë ka një kornizë të përshtatshme të rënë dakord të hënën e kaluar në Bruksel dhe ne do të kërkojmë të punojmë mbi të. Kosova nuk do t’i shmangë përgjegjësitë e saj dhe do të sigurojë që të gjitha pakicat në Kosovë të jenë të sigurta”, tha Bislimi.