Një tjetër investim për përmirësimin e infrastrukturës dhe jetës së përditshme të qytetarëve është ndërmarrë në qytetin e Elbasanit, në rajonin nr 1.

Në rrugën “Halit Narazani” ka hyrë në fazë të re projekti i furnizimit me ujë të pijshëm.

Përfundimi i shtrimit të tubave të ujit të pijshëm është vetëm hapi i parë, pasi tani ka nisur një investim për rikonstruksionin e kësaj rruge që ka vuajtur prej vitesh mungesën e investimeve në infrastrukturë.

Gjatë një inspektimi të punimeve për rikonstruksionin e kësaj lagjeje, kreu i bashkisë Gledian Llatja tha se “po vazhdojmë me planin për urbanizimin e të gjitha zonave informale, ndërsa qyteti është kthyer në kantier ndërtimi. Ndërkohë, punimet vazhdojnë në lagjen “5 Maji” dhe te shkolla “Imelda Lambertini””.

“Qëllimi ynë është të bëjmë punë të mira për komunitetin dhe sapo të vihet në funksion rrjeti i ujit, e gjithë lagjja do të ketë ujë 24 orë”, tha Llatja.

Ky investim është një prej më të rëndësishmëve të realizuar në qytet, pasi është lagjja e parë që është bërë me sistemin e ri të ujësjellësit në bashkëpunim me kompaninë gjermane, me synimin që i gjithë qyteti të ketë ujë 24 orë.

“Ky është një hap i madh përpara për Elbasanin, jo vetëm për vlerën që rruga e re sjell në këtë zonë, por edhe për zhvillimin ekonomik që pritet të ndodhë, pasi pronat në këtë zonë do të rriten në vlerë”, tha Llatja.

Investimet e kryera jo vetëm që përmirësojnë infrastrukturën e qytetit, por edhe rrisin cilësinë e jetës së banorëve të tij./ata