Ministri i Jashtëm i Kolumbisë, Luis Gilberto Murillo njoftoi se 50 fëmijë nga Gaza të plagosur në sulmet e Izraelit, do të sillen në vendin e tij për trajtim.

Në një deklaratë për mediat në kryeqytetin Bogota, Murillo tha se 50 fëmijët palestinezë që do të sillen nga Gaza do të trajtohen në spital ushtarak.

Ai informoi se fëmijët do t'i sjellin përmes Egjiptit. "Qëllimi është që në Kolumbi të sillen 35 deri në 50 fëmijë që janë plagosur ose kanë mbetur të gjymtuar në sulmet në Gaza. Dëshirojmë t'i presim këto këtu deri në 6 muaj, bashkë me shoqëruesit e tyre dhe më pas do të dërgohen në Egjipt", tha Murillo.

Murillo tha se lidhur me çështjen ka marrë mbështetjen e nevojshme nga kryediplomatët e Egjiptit dhe Jordanisë, duke shtuar:
 

"Po përgatisim protezat dhe mjetet e tjera që do të sigurojnë kontribut për rikuperimin e tyre. Nuk mund të them ende se në cilën ditë do të vijnë por kemi shënuar përparim serioz. Ndërkohë që edhe presidenti Gustavo Petro, ka dhënë udhëzimet e nevojshme".

Më tej Murillo theksoi se janë përpjekur të inkurajojnë vendet e tjera që të sigurojnë kontribut në trajtimin e fëmijëve të Gazës.

Kolumbia më 3 maj njoftoi se ka ndërrprerë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, duke treguar si arsye sulmet kundrejt popullit të Palestinës në Gaza./aa