Gjatë vitit të kaluar, shteti shqiptar është gjobitur në vlerën 29 milionë lekë, ose 279 mijë euro nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Referuar një raporti të Avokaturës së Shtetit, në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë trajtuar gjithsej 29 çështje shqiptare përgjatë vitit 2023, të cilat lidheshin kryesisht me shkeljen e të drejtës për një proces të rregullt gjyqësor dhe të drejtën e pronës.

Në vitin 2023, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dalë me 47 vendime për 75 kërkesa. Konkretisht, një rast i veçantë ka qenë ndaj çështjes së vettingut dhe 17 kërkesa lidheshin me pretendimet për shkelje të një procesi të rregullt gjyqësor. Në këto çështje, palët paditëse kanë kërkuar një dëmshpërblim prej 2 miliardë lekësh, vlerë e cila nuk është pranuar nga gjykata, duke i kursyer buxhetit të shtetit mbi 95% të kësaj shume.

Çdo qytetar shqiptar, kompani apo biznes, mund të dërgojë një kërkesë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në rast se ka qenë viktimë e shkeljes së të drejtave dhe garancive të përcaktuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kërkesa mund të depozitohet pranë kësaj gjykate, vetëm nëse personi nuk ka gjetur zgjidhje për çështjen e tij në asnjë prej hallkave të gjykatave shqiptare.

Shqipëria është bërë anëtare e Këshillit të Evropës në vitin 1995 dhe menjëherë pas anëtarësimit ka nënshkruar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Që prej atëherë, ka pasur një numër të konsiderueshëm rastesh ku qytetarë dhe biznese kanë paditur shtetin shqiptar për shkelje të të drejtave të tyre./Tema