Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi priti sot në një takim drejtorin e NDI-së për Evropën, Robert Benjamin, me të cilin bisedoi mbi procesin zgjedhor në Shqipëri.

Celibashi informoi se çështjet kryesore ku u përqendrua biseda ishin mbi ecurinë e reformës zgjedhore, ndërveprimin me Grupin e Dialogut në Kuvend, pritshmëritë e KQZ-së për realizimin e votimit nga jashtë, ligji mbi partitë politike dhe financimin e partive politike.

“U diskutua gjithashtu dhe për Kodin e Sjelljes mbi të cilin ende po punohet dhe në bashkëpunim me IDEA International, eksperti i të cilës do të japë shembuj të dokumentave të përdorura në zgjedhjet evropiane”, tha ai.

Një problematikë tjetër e cila mori vëmendje gjatë diskutimit, sipas Celibashit ishte dhe gjuha e urrejtjes e përdorur gjatë fushatës elektorale.

Robert Benjamin theksoi se votimi i shqiptarëve jashtë vendit mund të jetë sfidues për KQZ- në, pasi ky votim mbetet problematik nga pikëpamja teknike edhe për vende shumë më të zhvilluara.

Ai nënvizoi se procesi kërkon kapacitete, kohë dhe burime financiare të konsiderueshme.

Benjamin shprehu gatishmërinë e tij për të ndihmuar dhe bashkëpunuar me KQZ-në për çdo hap drejt përmirësimit të procesit zgjedhor në vend./ata