Kryeministri Edi Rama ndau sot disa pjesëza nga Kongresi Zgjedhor i Partisë Socialiste.
Studentja e informatikës, 19-vjeçarja, Helena Kaçe, e cila ka ndjekur edhe Akademinë Politike në Partinë Socialistë në fjalën e saj në Kongres, i kërkoi kryeministrit Rama të rrisë pensionet.
“I dashur z. Kryeministër dhe më lejoni t’ju drejtohem kështu e jo si një kryetar partie sepse unë ende nuk jam anëtare e partisë tuaj. Ju lutem bëni çmos që gjyshja ime në pension e shumë të tjerë që janë në pension më të ulët të mos ndjehen të harruar sidomos tani që rrogat e të gjithëve janë rritur sa deri dje nuk mendohej. Beni çmos që vajzat e djemtë si unë që s’kanë mik në pushtet, s’kanë krushqira me influencë, s’kanë biznese në familje ta kenë PS-në mikun e sigurt për lirinë që meritojnë, për të drejtat që u takojnë dhe për të mos u penguar, shpërfillur apo fyer nga zullumqarë me pushtet, të cilët nuk kanë asnjë respekt për dijet dhe meritat e njerëzve pa miq. Bëni çmos z. Kryeministër që siç ja ngritët kokën shqiptarëve në Athinë, Itali e kudo, duke ia hequr Shqipërisë baltën nga fytyra dhe duke u bërë zëri i krenarisë së të gjithë shqiptarëve, kurdoherë flisni me të huajt t’ia ngriti kokën edhe çdo njeriu këtu në Shqipëri, duke e bërë PS-në zërin e drejtësisë dhe meritës së gjithsecilit. Unë jam me ju por me kushte z. Kryeministër dhe uroj që ju të jeni pa kushte me të gjithë ata që sot folën sadopak përmes meje”, tha Helena Kaçe.
Ndërsa kryeministri Rama u shpreh se, “E dashur Helena, unë e ndoqa me vëmendje fjalën tënde megjithëse nuk di të bëjë parashikime për jetën e dikujt dhe as të hedh fall, po ia lejoj vetes një parashikim që koha do ta tregojë, mbase kur unë nuk do të jem më dëshmitar i kësaj bote. Ti Helena një ditë me shumë gjasë do jesh këtu ku jam unë, udhëheqëse e Partisë Socialiste.
“Me këtë që të thashë sapo të kam hapur një problem sepse nga ky moment ti hyre e panjohur dhe e buzëqeshur e kur të dalësh do kesh shumë sy që nuk do të shikojnë me dashamirësi por kush nuk ka shumë kundërshtarë dhe nuk përballet me kundërshti të mëdha në rrugën e vet nuk ngjitet dot në majë”, tha Rama.
“Do kem dëshmitar Pandi Majkon kur të mos jem më sepse Pandi është i vetmi i pavdekshëm që kemi këtu dhe kur Helena të bëhet kryetare e partisë, Pandi do të dëshmojë përpara gjeneratës X që e ka thënë dikur njëri nga ata, më duket se ishte Edi Rama”, u shpreh Rama.
Ndërsa ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi foli për platformën “Deputeti që duam”.
“U regjistrova në platformë dhe ja ku jam sot. U bëra pjesë e skuadrës “PS 2021”. Mora më pak vota sesa duheshin për t’u bërë deputete, por gjithsesi mësova gjëra të reja dhe mbi të gjitha ushqeva besimin tim duke e provuar konkretisht. Se të guxosh të ndërmarrësh një hap të tillë nuk është aspak një iluzion i gabuar. Më pas mu dha një detyrë dhe më tej mu bë nderi i madh në përfshirjen e qeverisë së Edi Ramës. U bëra e njohur fillimisht nga memet e krijuara prej emocioneve, kur dilja përballë kamerave dhe kisha përballë sallën e parlamentit dhe herët e para, për të qenë e sinqertë, më dukeshin si gryka zjarri të një skuadre pushkatimi. Por nuk më mungoi asnjëherë mbështetja dhe inkurajimi i i kryeministrit që më thoshte ti vazhdo bëj punën me kamerat dhe publikun do mësohesh natyrshëm. Kështu ndodhi dhe i falënderoj me mirënjohje kolegët e mbi të gjitha koleget, të cilët më ndihmuan të kuptoj shumë gjëra dhe të mësoj se kjo nuk është thjesht një punë, por është një betejë e përditshme për të bërë punë të mira”, tha ajo.
“Sot më është besuar një detyrë që e kam edhe më përzemër e kujdestares së platformës “Deputeti që duam”, ku edhe në emër të kryetarit të PS-së, por dhe skuadrës të angazhuar me këtë nisëm, i sigurojmë të gjithë ata që duan të hedhin hapin për të kërkuar të jenë pjesë e skuadrës “PS 2025” se do të trajtohen me gjithë respektin e duhur dhe sipas meritës. Këtë herë platforma është më e pasur dhe besojmë se reflekton mësimet dhe eksperiencën e fituar nga 2021-i”, tha Muzhaqi.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialsite, Blendi Klosi në fjalën e tij në Kongres theksoi se, “ne mirëpritëm 34,000 anëtarë të rinj në radhët e Partisë Socialiste, duke e çuar anëtarësimin tonë aktiv në mbi 100,000 në fund të kësaj faze. Midis anëtarëve të shtuar rishtas ishin mbi 12,000 të rinj dhe mbi 15,000 shoqe”.
“Kongresi, i cili ka misionin historik të sjellë mandatin e katërt të PS-së, kjo përpjekje titanike organizative nga vendimmarrja e 8 Dhjetorit, ky numër i madh anëtarësimesh të reja, këto forume partiake të rifreskuara, kaq shumë mbështetje për vizionin politik Shqipëria 2030, na kërkojnë që ne të marrim vendime shumë të rëndësishme për vazhdimin dhe thellimin e procesit të rienergjizimit. Të vazhdojmë demokratizimin dhe rifreksimin e forumeve tona, shtrirjen territoriale dhe përgatitjen politike të organizatës sonë. Përgatitjen e partisë tonë, partisë më të madhe në vend, jo vetëm të fitojë zgjedhjet e radhës por edhe të jetë e vetmja platformë politike dhe demokratike për këdo që mbështet vizionin evropian të Edi Ramës, Shqipëria 2030”, tha Klosi.
Ndërsa, Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Antikorrupsionin, Fatmir Xhafaj në fjalën e tij u shpreh se, “këta jemi ne, Partia Socialiste, parti e njerëzve që duan shtet, që duan drejtësi, që e duan Shqipërinë Evropiane jo me llafet që i kanë mësuar përmendësh të gjithë, por me punë, me vepra. Ne ishim, jemi dhe do mbetemi të vendosur për ta ndryshuar dhe modernizuar këtë vend, në një rrugë ku drejtësia është një korsi themelore dhe thelbësore, e ku e kemi ditur se, pikërisht pse kjo e jona është një betejë e vërtetë edhe goditjet e drejtësisë do të fillonin të ishin të vërteta, pa bërë skonto politike as për vetë ne. Madje mbase mbi të gjithë, për vetë ne”.
“Dhjetë vjet më parë të shkoje thjesht të dëshmoje me një kostum politik ishte e pamendueshme, por 1 dekadë më pas të mos shkosh të dëshmosh kur thirresh për të dhënë sqarime, është bërë thjesht e paimgjinueshme. Ky është vetëm një shembull i thjeshtë për të kuptuar fuqinë që kemi ngritur me mundin e me vullnetin tonë të lirë dhe për të besuar se të gjithëve na takon ta mbështesim këtë fuqi të re të ligjit në përditshmërinë tonë. Ndaj qëndrimi i shpallur nga Kryetari Edi Rama për përgjegjësinë individuale ndaj drejtësisë – është padyshim qëndrimi i duhur, i drejtë dhe i përgjegjshëm, sepse vetëm duke e nisur nga vetvetja ndryshimin e kulturës së zbatimit të ligjit, ne e garantojmë progresin që drejtësia duhet të bëjë pa u trazuar nga duart e politikës”, u shpreh Xhafaj.
Ministrja e Shtetit për për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni në fjalën e saj në Kongres, u shpreh se, “dyert e Shqipërisë, ngahera të Zotit dhe mikut, janë hapur si asnjëherë më parë për botën mbarë. Shqipëria turistike ka hyrë në hartat e udhëtarëve nga të gjitha kontinentet si një destinacion unik, kozmopolitan dhe i sigurtë, ku vlerat evropiane preken gjithnjë e më ndjeshëm, në një garë me vizionin e vetes më të mirë”.
Ajo tha se, “kjo forcë politike u bë motori i inovacionit, duke e renditur Shqipërinë të parën në rajon për ofrimin e shërbimeve publike digjitale”.
“Në këto dhjetë vite, kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm që e pati zanafillën në krijimin e një baze moderne ligjore, e më pas, përmes fuqisë së digjitalizimit, në lehtësimin e aplikimeve për çdo pozicion pune me vetëm një klikim, duke përfshirë edhe pozicionet e mësuesve, infermierëve dhe punonjësve të sigurisë. Sot punonjësit e administratës publike janë përfituesit e drejtpërdrejtë të reformës së madhe të pagave të kësaj dekade, që e çoi pagën mesatare për ta në 105.000 Lekë ose afro 1000 euro në muaj”, theksoi Pirdeni.
“Dekada e fundit ka dëshmuar që shumëçka mendohej e pamundur është bërë sot një realitet i prekshëm”, u shpreh ajo.
Ndërsa, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka në fjalën e saj në Kongres u shpreh se, “Qëllimi ynë është i shpallur, të përmbushim të gjitha kushtet për anëtarësim dhe Shqipëria në vitin 2030 të ulet si e barabartë në tryezën e familjes evropiane. Ekipi kombëtar i negociatave, punon për këtë qëllim qeveria dhe kryeministri po punojnë për këtë qëllim. PS është krijuar si një sfidë historike dhe do t’ia dalë kësaj sfide të madhe historike”, tha ajo.
“Shqipëria është në miljet e fundit të rrugës së anëtarësimit në BE. Çasti është historik, mbështetja për Shqipërinë është më e madhe se asnjëherë më parë”, tha Dhuka.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila tashmë është propozuar si kryetare e Kuvendit, deklaroi në Kongresin e PS-së, se, “unë besoj fort në ëndrrën tonë duke projektuar “Shqipërinë 2030”, Shqipërinë evropiane në mish e në gjak me mandatin tonë të katërt qeverisës me Edi Ramën kryeministër, ne kuptojmë qartësisht se PS ka nderin, por edhe përgjegjësinë të jetë e ndëshkuar, ndryshojë vetveten për të ndryshuar të gjithë Shqipërinë. Atdheu ynë i përhershëm, madje edhe atdhe i përkohshëm i miliona turistëve që mbërrijnë këtu për t’u ndier si në shtëpi, apo dhe i studentëve të huaj që duhet të vijnë në Shqipëri për të studiuar dhe punuar si në Evropë, në Evropën tonë shqiptare, që ne duhet të bëjmë edhe më shumë se mundemi për t’i trashëguar brezit të fëmijëve tanë dhe gjeneratave të së ardhmes”.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se, “ne jemi këtu të bëjmë të pamundurën çdo ditë që ta bëjmë këtë vend krenarinë e çdo shqiptari jo vetëm për bukuritë, historitë, për trashëgiminë kulturore, për malet dhe për detet por edhe për shtëpinë e përbashkët të shtetit shqiptar. Ndërkohë që kujt na do të keqen, i them vetëm kaq: i kanë hapur vetes një punë shumë të sikletshme sepse që të na duash ne të keqen duhet të na dalësh përpara. Kur të na dalësh përpara duhet të llogarisësh që je i mundur, i mundur! Edhe i mundur jo me dhunë dhe me shembullin e forcës, por me forcën e shembullit dhe me panumërsinë e provave dhe fakteve që këtë vend o e bën PS o se bën askush tjetër dhe që patjetër ne e dimë vet që s’jemi më të mirët por më të mirë se Partia Socialiste këtu në këtë vend harroje se gjen. Harroje se gjen”.
“Unë kam shumë besim tek nuhatja politike e shqiptarëve të cilët kujtojnë se janë ekspertë të futbollit por në fakt janë shumë më tepër ekspertë politikë që u japin ujin në bisht të lugës të gjithë atyre komentatorëve të lodhur politikë të kanaleve të portaleve. Prandaj, dhe këta të shkretët që u plakën me laps këtu në vesh, si llogaritarë të gabuar, në veshin që nuk mbush dhe me sy në vrimën që nuk mbushet, duke luftuar ekraneve me Partinë Socialiste e sidomos me mua personalisht, janë të dënuar të zhgënjehen sa herë numërohen votat. Dhe bëhen pastaj qesharakë duke folur për vjedhje, për blerje votash po dhe nuk kanë faj në fakt, se atë që të bën Partia Socialiste nuk ka as tërmet e as breshër që ta bën kur i del përballë”, tha Rama./ata