Në Himarë mbahen sot zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e ri të bashkisë së këtij qyteti.
Numri i zgjedhësve që janë ftuar të votojnë sot në Bashkinë Himarë është 23.074.
KQZ ka prodhuar 23.535 fletë votimi për zgjedhjet për kryetar të bashkisë Himarë duke shtuar 2% mbi numrin e zgjedhësve.
Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 36 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
Zgjedhësi do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve) të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.
Në Vendin e Numërimit të Votave do të vendosen kamera regjistruese dhe monitorë (ekrane), për regjistrimin dhe shfaqjen e fletëve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave.
Kamerat me rezolucion të lartë instalohen mbi tavolinën e numërimit në mënyrë të tillë që bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi. Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë të vendosur përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, ruhet në media elektronike dhe dorëzohet në KQZ së bashku me materialet e tjera zgjedhore.
Gjithashtu, do të përdoren sistemet e transmetimit video në kohë reale të monitorimit të numërimit të votave nga çdo vend i numërimit të votave, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./ata