Kontingjenti i dytë i Policisë Ushtarake u përcoll sot në misionin e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhgimit (MFO) në Sinai, Egjipt.

Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Mbrojtjes konfirmon se “siguria ndërkombëtare është një element i rëndësishëm në misionin ushtarak të Shqipërisë”.

“Policia Ushtarake i ka kapacitetet për t’u ardhur në ndihmë edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilëve u gjendemi në krah me trupat dhe njerëzit tanë të specializuar”, thuhet në njoftim.

Ministria e Mbrojtjes vlerëson se ky është një mision i rëndësishëm që përfshin tre efektivë të Policisë Ushtarake, të cilët do të kontribuojnë me eksperiencën e tyre për 12 muaj për të përmbushur me përkushtim detyrat në kuadër të MFO.

“Ju urojmë efektivëve tanë ta përmbushin me sukses këtë mision fisnik dhe shpresojmë për kthimin e sigurt të tyre në atdhe”, përfundon njoftimi për shtyp./ata