Policia e Korçës ka reaguar në lidhje me ngjarjen e publikuar në media, ku deputeti demokrat,m Edmond Spaho, shfaqej teksa tërhiqte nga krahu një person në qendrën e votimit në Zvezde të Korçës.

 

Po ashtu uniformat blu kanë reaguar edhe për denoncimin e bërë nga kandidatja e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Korçë, Ledina Alolli, në lidhje me praninë e punonjësve të administratës pranë qendrave të votimit, duke intimiduar votuesit.

 

Policia thotë se deputeti po ashtu dhe kandidatja janë thirrur në polici për të dhënë sqarime ndërkohë që po vijon puna nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

“Në lidhje me dy raste të publikuara në media, njëri prej tyre deklarata e  kandidates së PD-së shtetases L. A., e cila pretendon se në lagjen nr. 17, Korçë, punonjës të administratës publike po intimidojnë votuesit, ndërsa rasti tjetër një video ku shfaqet deputeti i PD-së shtetasi E.S., duke u konfrontuar fizikisht me një shtetas në një qendër votimi në fshatin Zvezdë, Maliq, me pretendimin se ai shtetas po intimidonte votuesit, ju informojmë se:

 

Në të dy rastet është komunikuar me kandidaten L. A. dhe deputetin E. S., ku u është kërkuar që të paraqiten në Komisariatet e Policisë, për t’u pyetur dhe intervistuar në lidhje me sa pretendojnë.

 

Në lidhje me pretendimet e tyre, në të dy rastet u është marrë deklarim nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Korçë dhe Maliq, ku në bashkëpunim me KZAZ Korçë dhe Maliq, po kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme.

 

Theksojmë se në asnjë prej rasteve të mësipërme, nuk është kërkuar ndërhyrja e Policisë në qendrat e votimit apo në ambientet përreth qendrave të votimit.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.