Këshilli i Mandateve do të mblidhet më 4 shtator për të diskutuar në lidhje me mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj, pasi sipas opozitës ai ka përfituar para nga buxheti i shtetit përmes bizneseve të tij.
Vendimi u mor nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike. PD e akuzon deputetin socialist ka përfituar tendera nga buxheti i shtetit në kundërshtim me Kushtetutën.
"Në vijim të mocionit të dorëzuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të PD për heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e mërkurë, datë 04.09.2024, ora 11:00, me këtë rend dite: “Shqyrtimi i mocionit të 1/10 të deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.”
Sipas deputetëve të opozitës rezulton se deputeti socialist i Vlorës, Vullnet Sinaj ka përfituar nëpërmjet 9 (nëntë) kompanive të tij të ardhura nga Buxheti i Shtetit në shumën totale 3.689.814 (tre milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë, në kundërshtim me ndalimin e parashikuar në nenin 70, pika 3, të Kushtetutës së Shqipërisë.
Vetë Sinaj ka hedhur poshtë çdo pretendim disa ditë më parë, ku deklaroi se ai që prej 2017-s ka hequr dorë nga administrimi i bizneseve të tij gjatë kohës që ushtron mandatin e deputetit./Tema